Ministri i Jashtëm i Italisë bisedon me Vuçiç e Kurtin për rikthimin e dialogut

Shefi i diplomacisë italiane Antonio Tajani paralajmëroi përforcimin e pranisë së trupave të KFOR në kufirin Kosovë-Serbi, për të parandaluar përleshjet e mëtejshme mes shqetësimeve për ripërtëritjen e dhunës në rajon.

Ai e bëri këtë paralajmërim në rrjetin X, ku njoftoi gjithashtu se kishte patur një bisedë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilëve u ka bërë thirrje për inkurajim të dialogut mes palëve.

“Italia, protagoniste e paqes në  Ballkan. Bisedova  me presidentin Vuçiç dhe me kryeministrin Kurti. U kam kërkuar të dyve që të inkurajojnë dialogun mes palëve. Në marrëveshje me ministrin Italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto ne po punojmë për të forcuar praninë e KFOR-it në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe parandalimin e përleshjeve të mëtejshme”.

Reagimi i zv.kryeministrit italian vjen pas sulmit të së dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, ku një grup personash të maskuar dhe me uniforma ushtarake sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.

Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe bisedimet mes palëve.

Klan News