Lihen pas përplasjet e vjetra, mister biseda

Ndonëse në të kaluarën kanë pasur përplasje të mëdha mes vete, madje kreu i AAK-së më 2018-n u detyrua të jap dorëheqje dhe të prishë koalicionin që kishte me PDK-në, duket se tashmë i kanë lënë inatet anash.

Presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe ai i AAK-së Ramush Haradinaj janë takuar sot në mëngjes në një nga restorantet e Prishtinës. Takimin e kanë  konfirmuar nga Partia Demokratike e Kosovës, por kanë thënë se ishte vetëm një takim mes miqsh.

Ndërkohë Gjykatës Speciale i kanë mbetur edhe 2 ditë për konfirmimin ose jo të aktakuzës së pretenduar nga zyra e prokurorit të specializuar.

Tani kur po flitet për një dorëheqje të mundshme të presidentit Hashim Thaçi në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj tij, apo edhe përfundimin e mandatit që është muaji Prill i vitit 2021, është kreu i AAK-së ai që ka shfaqur publikisht ambiciet për president të vendit.

Koalicioni aktual qeverisës ka mbi 60 vota ndërsa për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota. LDK-ja që është partia më e madhe në koalicion qeverisës thotë se ende është herët të diskutohet për këtë temë.

Kryeministri Avdullah Hoti pati thënë se për këtë temë do të diskutojnë bashkë me opozitën në kohën e duhur, në rast se nuk merren vesh për kandidatin apo kandidaten atëherë vendi shkon në zgjedhje.

Tv Klan