
“Takimet në OKB mjaft të suksesshme”, Begaj sqaron lajmet për listën e delegacionit
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka folur sonte në një intervistë ekskluzive për Blendi Fevziun në “Opinion” edhe për takimet që zhvilloi në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai theksoi se rëndësi të veçantë pati mesazhi i tij për njohjen e Kosovës si dhe takimi me Komitetin Shqiptar në New York.
-Zoti President, si shkuan takimet tuaja në sesionin e radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?
Bajram Begaj: Ishin takime mjaft të suksesshme, kuptohet që ishte vizita ime e parë në Kombet e Bashkuara, në Asamblenë e Përgjithshme, isha shumë i fokusuar te mesazhi që do të jepja gjatë Asamblesë së Përgjithshme. Besoj se kanë qenë takime jo vetëm të fokusuara në drejtim të mesazhit të Asamblesë së OKB-së, por edhe në takimet bilateral që kisha me krerë shtetesh të tjera që ishin të fokusuar jo vetëm te marrëdhëniet me Shqipërinë, por edhe në drejtim të njohjeve të reja të Kosovës. Natyrisht, një vend të rëndësishëm mori dhe takimi me Komitetin Shqiptar në New York, me guvernatoren e New Jersey-t dhe kryebashkiakun e NY.
-Jeni i kënaqur në fund të bisedës?
Bajram Begaj: Besoj se po.
Begaj sqaroi dhe lajmet që kanë qarkulluar lidhur me numrin e personave që e shoqëruan në SHBA. Kreu i shtetit thotë se letra me delegacionin zyrtar shqiptar të kryesuar prej tij është e depozituar në OKB dhe gjendet mjaft kollaj.
-A është e vërtetë që keni shkuar në Shtetet e Bashkuara me një ekip prej 30 vetash?
Bajram Begaj: Në fakt unë isha i fokusuar tek ajo që thashë më parë. Që të jepja një mesazh të duhur në atë vend dhe lajmet e pavërteta apo fake news që i quani ju nuk janë të pavërtetueshme, kështu që mundet që letrat e delegacionit shqiptar i kryesuar nga Presidenti i Republikës janë të depozituara në OKB dhe gjendet shumë lehtësisht sa veta ka pasur Presidenti i Republikës./tvklan.al