Këshillat për të shmangur infektimin me koronavirus

Sa duhet të qëndrojmë me një person për të mos u infektuar me koronavirusin. Po distance që duhet ruajtur, cila është?

Janë pyetje që po bëhen shpesh këto ditë, të cilave u janë përgjigjur dy shkencëtarë amerikanë në një editorial për Nju Jork Times.

Joshua Rabinowitz dhe Caroline Bartman janë ndalur te koha dhe distanca e cila të jep një farë mbrojtjeje nga infektimi. Sipas tyre ekspozimet e vogla kanë tendencë të çojnë në infeksione më të buta ose asimptomatike, ndërsa marrja e dozave më të mëdha mund të jetë vdekjeprurëse.

“Hyrja në një ndërtesë apo zyrë ku dikush ka qenë me koronavirus nuk është aq e rrezikshme sa të ulesh pranë atij personi të infektuar për një orë udhëtim me tren.”

Kjo është arsyeja pse punonjësit shëndetësisë, mjekët, infermierët, asistentët, por edhe personeli i pastrimit në spitale janë ndër njerëzit më të rrezikuar dhe që duhet të mbrohen siç duhet. Ndaj është i rëndësishëm distancimi shoqëror dhe masat higjienike si veshja e maskës, larja e duarve që edhe pse nuk mund të të mbrojnë plotësisht nga virusi, zvogëlojnë dozën e ekspozimit ndaj tij.

Për këtë duhen shmangur vendet me grumbullime personash si baret apo restorantet, por edhe kontaktet fizike me të moshuarit.

Ata këshillojnë që takimet me personat e huaj, në dyqan apo në rrugë të mos jenë më të gjata se 6 sekonda dhe në një largësi prej 1 metër e 80. Disa gjera që mund të na frikësojë janë rrobat apo paketimet e ushqimeve, por 2 shkencëtarët thonë se ato paraqesin një rrezik më të ulët edhe pse me njohuritë e deritanishme asgjë nuk është e sigurt.

Këto janë këshilla të fazës së urgjencës që po kalojmë dhe me kalimin e kohës me siguri do të ndryshojnë.

Tv Klan