Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten (më 23 mars) do të raportojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo u bë e ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

“Paraprakisht do të hidhen për votim tri marrëveshjet ndërkombëtare, e pastaj njoftimi i kryeministrit Kurti për takimin në Ohër”, tha Kusari-Lila.

Më 18 Mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në këtë takim palët arritën pajtim për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, marrëveshje kjo që u bë publike më 27 Shkurt.

Lidhur me takimin në Ohër, Kusari-Lila tha se ka pasur dakordim në parim dhe mbetet të shihet plani dhe procesi më tutje.

Ajo që dua të them, është se do të varet shumë nga qasja e ndërmjetësit për shkak se garantuesi kryesor, në mungesë të nënshkrimit nga ana e Serbisë, mbetet BE-ja dhe SHBA-ja. Këto pika të marrëveshjes do të jenë pjesë e kapitullit 35 për Serbinë në procesin e integrimit, gjë e cila se në rast se nuk zbatohet, do të ndalte komplet procesin e integrimit të Serbisë. Kjo është garancia e vetme për Kosovën, qasja dhe sanksionet ndërkombëtare në raport me procesin e integrimit. Përderisa është tepër me rëndësi avancimi i procesit të integrimit për Kosovën”, ka shtuar ajo.

Partia Demokratike e Kosovës ka vërejtje serioze, lidhur me marrëveshjen e Ohrit, tha deputetja nga radhët e kësaj partie Blerta Deliu-Kodra.

Natyrisht, ka shqetësim serioz me kompetencat që i jepen komunitetit serb në Republikën e Kosovës. Kryeministri dje kishte lojë fjalësh se çka quajmë vetëmenaxhim e vetadministrim, tha që ka një dallim në mes të vetëmenaxhimit dhe vetadministrimit”, u shpreh ajo.

Edhe deputeti tjetër nga opozita, Armend Zemaj, nga Lidhja e Demokratike e Kosovës, konsideron se marrëveshja e arritur është në kundërshtim të plotë me synimet e Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Takimi i Ohrit e ka shpërfaqur mashtrimin 15-vjeçar të kauzave të rreme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Kjo që është parë, neve do të na kushtojë shumë në kuptimin e përgjegjësive të cilat janë marrë”, tha ai.

Marrëveshja prej 11 nenesh, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë./REL