Protestat e vazhdueshme të studentëve në Dhjetor të 1990-ës i dhanë fund epokës së diktaturës komuniste.

Presidenti i vendit, Ramiz Alia priti në pallatin e Brigadave një përfaqësi studentësh prej 30 personash për të negociuar. Studentët duket se kishin të qartë platformën që do të ndiqnin. Në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu trajtohet takimi me Presidentit Alia dhe studentëve.

Biseda mes tyre vijoi për rreth 2 orë.

Takimi i studentëve me Presidentin më 11 Dhjetor u cilësua si një akt mjaft i guximshëm dhe moment i rëndësishëm që kishte sjellë jo vetëm thelbin e ndryshimit për historinë e Shqipërisë.

“Udhëheqja ka ndjekur çdo hap tuajin që në fillim e deri tani. Unë jam shprehur për dialog me ju. Ju ftova për qetësi në mënyrë që shqetësimet dhe kërkesat tuaja të zgjidheshin me qetësi. Edhe tani që po takohem me ju jam i të njëjtit mendim që gjërat t’i zgjidhim me mirëkuptim në interes të atdheut. Në çdo rast duhet t’i pritet rruga elementëve keqdashës ose provokator që nuk ia duan të mirën popullit lirisë dhe demokratizimit të atdheut. Rruga e demokratizimit nuk është bulevard. Nevojitet kulturë, tolerancë, rregull dhe durim. Demokracia nuk pranon as kushte as detyrime, ndaj edhe unë nuk iu kam vënë kushte dhe as nuk iu kam imponuar. Çdo qytetar duhet të ketë në plan të parë interesat e atdheut dhe të popullit. Mund të kesh vërejtje për të kaluarën, por çdo gjë duhet të vihet në kandarin e fatit të atdheut. Të mos harrojmë që gjithnjë qëndron rreziku i lirisë dhe pavarësisë. Ne na lypset të ecim të bashkuar me njëri-tjetrin. Unë shpreh bindjen time të patundur tek rinia jonë. Asgjë s’bëhet brenda një dite dhe duhen pasur parasysh traditat tona. Drejt Europës duhet të shkojmë, por me traditën tonë e jo si kopje e keqe e të tjerëve”, tha Alia në fjalimin e tij përpara studentëve./tvklan.al