Kryetari i Partisë së Lirë, Ilir Meta, zhvilloi një takim këtë të martë në selinë e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Pas përfundimit të takimit që zgjati rreth një orë, Meta pati një prononcim të shkurtër për mediat ku theksoi se është folur për vazhdimin e bashkëpunimit mes partive. Meta tha se do të vijojë denoncimi i aferës së inceneratorëve.

“Vendimi ynë është përshkallëzimi i luftës kundër korrupsionit që do të thotë vazhdimi pa ndërprerje i angazhimit tonë për të denoncuar aferën e tmerrshme të djegësave që ka vajtur tashmë mbi 700 milionë euro dhe vazhdon çdo ditë dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë”, tha Meta.

Meta u pyet edhe për protestat, të cilat i sheh një domosdoshmëri.  

“Ne gjithmonë kemi qenë dhe jemi për mbështetjen e protestave jo vetëm të iniciuara nga PD apo parti opozitare, por edhe nga qytetarët. Padyshim edhe rruga e protestave është një rrugë e domosdoshme ku gjithë shoqëria do të shprehë edhe ndjeshmërinë e saj për këtë situatë kaq dramatike të korrupsionit dhe kapjes së shtetit”, tha Meta.

Sa i takon dëshmisë së Petrit Vasilit në SPAK për çështjen e lobimit të LSI në SHBA, Meta tha se nuk shqetësohet për raportet e tij me drejtësinë.

“Asnjëherë nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi në raportet e Ilir Metës me drejtësinë. Shqetësimi i të gjithëve është që afera e inceneratorëve vazhdon. Paratë e qytetarëve digjen lumë nga korrupsioni që ka si garant kryesor kreun e aferës së djegësave që është vetë kryeministri”, u shpreh Meta.

Takimi Berisha-Meta erdhi pas humbjes në zgjedhjet e Rrogozhinës./tvklan.al