Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për takimin e sotëm me shefen e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Audrey Glover.
Teksa kjo e fundit nuk dha asnjë detaj mbi çfarë u diskutua në selinë blu, Berisha deklaroi se takimi ishte i karakterit formal mbi zgjedhjet lokale të 14 Majit. Ai theksoi se PD i paraqiti zonjës Glover të gjitha problematikat që ka pikasur në këtë proces elektoral.
“Ishte një takim në të cilin diskutuam gjerësisht mbi procesin zgjedhor, dhunimin në vlerësimin tonë një nga një të ligjit elektoral dhe konventave ndërkombëtare për zgjedhjet e lira. Informova gjithashtu zonjën për ‘puçin’ anti-kushtetues ndaj opozitës shqiptare, bashkëpunimin e korrupsionit shqiptar ndërkombëtar për të lënë vendin pa opozitë dhe vendosmërinë e PD për të çuar para procesin electoral. Mendoj se zonja Glover ishte tek ne në një takim për t’u informuar mbi pikëpamjet, faktet dhe zhvillimet sipas PD të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Them se ne paraqitëm të gjithë problematikën për një proces normal zgjedhjesh”, deklaroi Berisha.
Glover takon Berishën në selinë e PD

Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audrey Glover u takua ditën e sotme me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ky takim bëhet në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Berisha shoqërohej në këtë takim nga nënkryetari Oerd Bylykbashi dhe nga Sekretari për Ligjet dhe Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso.
Kujtojmë që rreth orës 10:30, Glover u takua me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ky i fundit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale i ka shprehur Glover gatishmërinë e opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje./tvklan.al
