Naftëtarët: Pagat e prapambetura, kërkesë e panegociueshme

Kryeministri Edi Rama dhe naftëtarët zhvilluan një takim, i cili zgjati rreth dy orë për të diskutuar mbi kërkesat e punëtorëve të rafinerisë së Ballshit. Rama tha se u takua me naftëtarët për të “qarë hallin” që nuk është krijuar nga qeveria. Kreu i qeverisë pranoi se familjet po kalojnë një moment të vështirë, por u shpreh se problematika e naftëtarëve nuk i takon qeverisë pasi marrëveshja ka qenë me një kompani private. Mirëpo, Rama u shpreh se si qeveri e Shqipërisë, i takon që ta adresojë sëbashku me naftëtarët problemin.

Kreu i qeverisë tha se është rënë dakord në parim që naftëtarët të marrin një pagë në muaj, që sipas tij nuk është ajo që ata meritojnë, por as paga që do të merrnin nga asistenca sociale. Kjo bëhet për shkak se ata kanë një formim profesional në një fushë “që nuk e kemi luksin ta zhbëjmë”, sipas kryeministrit.

“Çështja e këtyre njerëzve sot është një çështje që na takon ne ta adresojnë sëbashku me ta, me mirëkuptimin e tyre sepse rruga e thjeshtë ligjore do të ishte që të drejtoheshin në zyrat e punës për të marrë asistencën. Por në këtë rast bëhet fjalë për një grup njerëzish që kanë një eksperiencë dhe një formim profesional nga një fushë që nuk e kemi luksin ta zhbëjmë. Për këtë arsye i kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse faktikisht rafineria është e fikur. Nuk merremi me pagat e prapambetura. Nuk është çështja jonë paga e prapambetur. Ajo është një çështje që ka ngelur me kompaninë. Vendimi gjyqësor lidhet me detyrimet e kompanisë dhe jo qeverisë. Qeveria nuk merr përsipër të zgjidhë ato çështje të cilat janë kompanitë që i zgjidhin. Kompania ka kaluar në një rrugë që nuk mund të ishte ndryshe me atë privatizim skandaloz, lojë kriminale që u luajt në kohën e privatizimit. Qeverisë i takon të adresojë këtë hall sot”, tha ai.

Rama tha se qeveria nuk është dorëzuar për të ardhmen e rafinerisë së Ballshit dhe se po punon për të gjetur një kompani që ta rikthejë në punë.

“Ne nuk jemi dorëzuar në lidhje me të ardhmen e kësaj rafinerie sepse të gjitha analizat tona dhe konsultat tona tregojnë që rafineria nuk është për skrap. Sikur ta dija se kur do të nisë do të ishte shumë e thjeshtë, por nuk mund ta di për sa kohë nuk kemi një investitor që është i gatshëm që të nisë, aq më tepër në këtë moment, aq më tepër në këtë sektor. Ne jemi duke bërë përpjekje, por jemi në një pozicion specifik sepse ne bëjmë ndërmjetësin duke kontaktuar Presidentë si ai i Azerbajxahnit për të kërkuar mbështetje nga kompanitë e tyre”, tha Rama.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha pas takimit se për ato që është rëndë dakord në parim me kryeministrin do të dilet me një vendim nga të gjithë naftëtarët ditën e nesërme. Megjithatë ai u shpreh se pagat e prapambetura janë një kusht i panegociueshëm për ta.

“Nuk bëhet fjalë se kemi dalë të kënaqur për arsye se gjithçka do ia lemë kohës. Është një vendim që duhet ta marrim të gjithë kolegët. Është risjellja në rafineri e një kompane serioze dhe dhënia e një page. Gjithçka do të diskutohet me kolegët nëse bien dakord apo jo. Ne jemi përfaqësues të naftëtarëve, vendimin e marrin 900 naftëtarët. Ne kemi një pikë që është e panegociueshme. Theksoj dhe njëherë kërkojmë të marrim pagat tona. Këto janë letra gjyqi të fituara mbi palën humbëse. Shteti nuk merr përsipër pagat, por rivënien në punë të rafinerisë. Ky aset është një aset që ka mbetur në derë të një banke”, tha Dautaj. /tvklan.al