Ka takime në jetë që e ndryshojnë jetën përgjithmonë, ashtu si ishte ajo me Papa Françeskun për Emanuele Balderin në vitin 2018, kur ai ishte një djalë 8-vjeçar i turpshëm i cili gjeti ngushëllim tek Ati i Shenjtë. Tani që Françesku ndrroi jetë në moshën 88-vjeçare, Balderi është një adoleshent dhe e kujton mirë atë përqafim, i cili madje ishte pikturuar në murin e shtëpisë ku jeton me nënën e tij, Elisabetta Pacciotti dhe vëllezërit e motrat e tij.

Më 15 Prill 2018, Papa po zhvillonte një takim me fëmijët e lagjes periferike të Romës, Corviale. Kur erdhi radha e Emanueles për të bërë pyetjen e tij, ai qëndroi pranë mikrofonit, i pushtuar nga emocionet për të folur.

Duke parë shqetësimin e tij, Papa e ftoi në skenë, ku djali i pëshpëriti në vesh një pyetje zemre: “Babai im ka ndërruar jetë. Ai ishte ateist, por ne të katër fëmijët u pagëzuam. Ai ishte njeri i mirë, babai im ateist, a është në parajsë?

Si përgjigje, Françesku e siguroi Emanuelen, duke i thënë audiencës se Perëndia ka një “zemër babai” dhe nuk do të braktiste një njeri të mirë.

Pothuajse shtatë vjet më vonë, Balderi tani 16-vjeçar reflekton me nënën e tij mbi këto fjalë dhe mënyrën se si ato i dhanë formë besimit dhe marrëdhënies së tij me babain e tij të ndjerë.

“Emanuele më pyeste gjithmonë. Unë thosha ‘babai është në parajsë’, por pashë se ai nuk ishte i bindur. Pas takimit e pashë të rilindur në qetësinë e tij, në lutjen e tij, në faktin se ai e dinte se mund t’i lutej me gëzim babait të tij dhe se babai i tij ishte në parajsë. Në të gjitha gjestet e tij, në të gjitha fjalët  kishte gjithmonë mesazhin vazhdo, mos u dorëzo, beso gjithmonë’. Ai ishte një Papë revolucionar”, tha nëna e tij.

Me vdekjen e Papës, ai sot e kësaj ditë përcjell mesazhin që i solli paqen.

“Sot, më vonë, nesër, dhe gjithashtu në të ardhmen, Papa Françesku është, ka qenë dhe do të jetë në lutjet e mia”.

Klan News