Gjatë një takimi me të rinjtë e programit LEAD Albania, kreu i PD Lulzim Basha tha se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm që po bëhet gati të marrë në dorë fatet e vendit.

“Me një mendësi të re, me dëshirën dhe ambicien për të punuar në Shqipëri e për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat kanë sot aftësinë dhe përgatitjen e duhur, por ajo që u mungon dhe do të bëjmë gjithçka t’ua japim, është mundësia. Sot u takova me të rinjtë e talentuar të programit LEAD Albania. Më prezantuan ide të jashtëzakonshme dhe dëshirën e madhe për ta ndryshuar këtë vend. Diskutuam për platformën tonë, mora ide të vyera prej tyre, për ta pasuruar atë dhe më tej, për të adresuar më mirë zgjidhjet rreth problematikave që kanë të rinjtë sot. Garantimi i mundësive për arsim, pavarësisht statusit të tyre social, krijimit të mundësive për të hapur biznese të reja, mbështetje për idetë inovative, krijimin e mundësive për punësimin e tyre, ishin disa prej çështjeve që ndava me ta”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, këta të rinj janë garancia e një ndryshimi që po vjen, ndryshim real që do të prekë çdo qytetar e veçanërisht të rinjtë që sot shohin si mundësi vetëm emigrimin.

“Me ambicie të mëdha dhe përgatitje lidershipi, këta të rinj janë një potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme. Programi LEAD Albania (Leadership Experience And Development) që zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013, ka qenë dhe mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e talentuar dhe të mirëarsimuar, që me punën dhe angazhimin e tyre serioz, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë”. /tvklan.al