Conor McGregor do të kandidojë për president në Irlandë në zgjedhjet e këtij viti. Ish-boksieri e dha lajmin të enjten teksa njoftoi kandidaturën për këtë pozicion duke thënë se nëse do të zgjidhet, do ta kalojë në referendum Paktin e BE për Migracionin.
Të hënën, Ditën e Shën Patrikut, sportisti i Arteve të Përziera Marciale u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Zyrën Ovale dhe shkroi në rrjetet sociale se ai është “shumë” kundër masës, por “nuk është zgjedhja ime apo e qeverisë”.
“Është zgjedhja e popullit të Irlandës!”
Në postimin e ndarë të enjten, ai tha se do të donte të dinte pëse qeveria e vendit e pranoi paktin “me kaq pasion”.
Sipas tij, çdo irlandez “do të ketë zë dhe zgjedhje për të ardhmen!” Më pas, bën thirrje që ta votojnë dhe “t’iu dëgjohet zëri!”
Në foton krah postimit, McGregor qëndron para një avioni me një fëmijë në krahë dhe një kapele me sloganin: “Bëjeni Irlandën madhështore sërish!”
Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, 36-vjeçari shprehu kritikat ndaj emigracionit duke thënë se Irlanda “është në prag të humbjes” së identitetit për shkak të “raketës së emigrimit të paligjshëm”.
Vizita dhe komentet e McGregor në uashington shkaktuan kritika nga kryeministri irlandez, Micheal Martin që tha se deklaratat ishin “të gabuara dhe nuk reflektojnë shpirtin e Ditës së Shën Patrikut apo vizionin e popullit të Irlandës”.
Pakti i Migracionit dhe Azilit është një legjislacion që rregullon emigrimin dhe vendosjen e një sistemi azili të zakonshëm në nivel europian, thuhet në faqen zyrtare të Komisionit të Bashkimit Europian./tvklan.al