Washingtoni dhe Moska nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre

Kërcënimi rus ndaj Ukrainës mbetet i lartë edhe pas takimit të së Mërkurës mes NATO-s dhe Rusisë, që pasoi atë të fillim-javës mes Uashingtonit dhe Moskës.

Zyrtarët e NATO-s nuk ranë dakord për kërkesën themelore të Moskës, një pakt që garanton që aleanca nuk do t’a përfshijë Ukrainën mes anëtarëve të saj. Burime pranë Shtëpisë së Bardhë thanë për mediat ndërkombëtare se presidenti Biden është gati të aktivizojë sanksione paralizuese ndaj Rusisë, sapo tanket e Moskës të thyejnë kufirin ukrainas.

Kremlini e quajti krejtësisht të pasuksesshme bisedimet e kësaj jave. Për zëdhënësin Dimitri Peskov, mosmarrëveshjet ishin për çështje thelbësore. Ndërsa kërcënimin amerikan për sanksione e quajti “jashtëzakonisht negativ”.

Optimizmi nuk mungon pasi palët shprehën angazhimin për të mos i lënë me kaq bisedimet. Sakaq shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se Uashingtoni ka garantuar se nuk do të marrë asnjë vendim pa u këshilluar me partnerët europianë, siguria e të cilëve preket drejtpërdrejt në rast të përshkallëzimit të situatës në Ukrainë.

Tv Klan