“Arritje shumë e rëndësishme për kthimin e stabilitetit politik”

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, reagoi pas takimit të opozitës jashtëparlamentare, asaj parlamentare dhe mazhorancës për reformën zgjedhore.

Në një postim në Twitter, Soreca e konsideron dakordësinë mes palëve si arritje shumë të rëndësishme për kthimin e stabilitetit politik në vend.

“E përshëndesim dakordësinë e ndër-partiake ditën e sotme për të çuar para një reformë elektorale gjithëpërfshirëse në të njëjtën linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Është një arritje shumë e rëndësishme për kthimin e stabilitetit politik të Shqipërisë në kontekstin e procesit të integrimit të vendit”, shkruan Soreca.

Gjithashtu ai shprehet se, BE-ja beson se të gjitha palët do të punojnë për një reformë zgjedhore që do t’u shpërbejë qytetarëve shqiptarë.

“Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë sëbashku për të konkluduar në një reformë elektorale, e cila do të miratohet nga parlamenti në përfitim të qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmes së tyre europiane”, shprehet Soreca.

Një reagim pati edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, shkruhet në reagimin e Ambasadës së SHBA. /tvklan.al