Një nënë rrëfeu për takimin e ‘mrekullueshëm’ me një 4-vjeçar, jeta e të cilit u shpëtua nga një organ i dhuruar nga e bija e saj, e cila vdiq papritur në moshën 17-vjeçare. Miriam Lee nga Kettering, Northamptonshire, pësoi kardiak arrest në 2016-n. Pas vdekjes së saj, Ollie Jolliff, në atë kohë 11 muajsh, mori mëlçinë e Miriam. Ai ishte një prej 4 personave që iu dhuruan organet e Miriam.

Nëna e saj Nicola Lee tha se e bija do të kishte qenë shumë e lumtur për jetët që shpëtoi. 56-vjeçarja u shpreh se ndonëse vdekja e Miriam ishte e papritur, ajo ishte në dijeni të dëshirës së të bijës për të dhuruar organet.

“Jemi shumë krenarë. Kishim pasur një bisedë me të për dhurimin e organeve. Nuk janë të shumtë 17-vjeçarët që bëjnë biseda të tilla”, tha nëna e së ndjerës.

Prindërit e saj kontaktuan me familjen e Olliet, nga Dorset, i cili mori mëlçinë e vajzës së tyre. Ata u takuan në Mars, përpara se vendi të shkonte në karantinë.

Nuk dija se çfarë do të ndodhte, por kur u ulëm dhe pashë këtë djalë të vogël që jetonte falë Miriam, ishte diçka e mrekullueshme“, rrëfeu Lee.

Ajo tha se Ollie e dinte kush ishte vajza e saj dhe ruante me vete ndjesinë se Miriam ishte një person i veçantë për të.

Sipas asaj që shkruan BBC, Ollie kishte lindur me një problem metabolik, që i shkaktonte sasi të mëdha toksike amoniaku në gjak. Familja kishte humbur një djalë tjetër, Keiran, i cili vdiq nga e njëjta sëmundje dhe transplanti i Olliet u krye ditën kur Keiran do të kishte festuar 10 vjetorin e lindjes./tvklan.al