Dita e takimit mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit nuk është e largët. Këtë e konfirmon Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo gjatë një interviste televizive. Pompeo tha se brenda pak ditësh këshilltari për sigurinë kombëtare amerikane Xhon Bolton do të udhëtojë drejt Moskës. Pjesë e bisedimeve të tij me zyrtarët rusë do të jetë edhe takimi mes Presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Kryediplomati amerikan tha se aktualisht nuk flitet për axhendë.

Vetë ai thotë se nuk e ka të qartë nëse do të shkojë në Moskë, ashtu siç shkoi në Penian për të përgatitur samitin historik mes Donald Trumt dhe Kim Jong-un. Megjithatë, si Trump ashtu edhe Putin janë shprehur të gatshëm për t’u takuar.

Dy muaj më parë, Kremlini publikoi një deklaratë ku thuhej se Trump e kishte ftuar Putinin në Uashington. Por ftesa u anulua pas tensioneve diplomatike për shkak të helmimit në Britani të ish-agjentit rus Sergei Skripal.

Vitet e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur në pikë më të ulët që prej fundit të Luftës së Ftohtë, për shkak të krizave si ajo e Ukrainës dhe Sirisë.

Tv Klan