Taksa e vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe ato të Bosnje-Hercegovinës në kohën kur ishte propozuar dhe votuar, ishte e sukseshme vlerësojnë analistët në Kosovë.

Por sipas tyre tani nuk duhet humbur kohë me këtë çështje. Megjithatë thonë se nuk do të duhej të pezullohej pa ndonjë shpagim. Analisti Imer Mushkolaj thotë se Kryeministri Haradinaj është zbutur në qëndrimet e tij pas vizitave të delegacioneve të tri shteteve më të fuqishme të botës.

“Veprim jo i mençur që taksa të hiqet bllanko pa përfituar asgjë. Unë besoj se nëse kanë institucionet vullnet të duhur politik mund të çojnë përpara dialogun e taksa të mund të shërbejë në favor të Prishtinës. Besoj se do të shtohet presioni ndaj Serbisë në mënyrë që ajo të ofrojë diçka në këmbim të largimit të taksës, ndërsa qëndrimi i Kryeministrit do të vijë duke u zbutur”.

Për analistin tjetër Ismajl Tasholli është e pakuptimtë të shtyhet kjo çështje që të vazhdojë konfrontimi me bashkësinë ndërkombëtare.

“Është pasens që të vazhdojë konfrontimi me bashkësinë ndërkombëtare në raport me pezullimin e taksës. 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s sot të diskutohet dhe pa Amerikën jemi shumë të dobët”.

Sipas tyre, PDK-ja si partneri kryesor i koalicionit qeverisës është në situatë të vështirë pasi po të shkohet në zgjedhje atëherë taksa do të mbetet deri në krijimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“PDK- ja është në situatë të vështirë. Nuk po merr asnjë hap, në të vërtetë nuk mund të ndërmarrë asnjë hap që ta largojë kryeministrin, sepse edhe nëse kështu humb”

, thotë analisti Imer Mushkolaj.

Të mos harrojmë që PDK-ja i bënë edhe kalkulimet e tjera sepse nëse bie kjo qeveri nuk e ka më një partner që do t’ia siguronte mbajtjen e qeverisë dhe vazhdimin e saj. Secili ka kalkulime të veta personale por jo të parimeve ose principeve”

, shprehet nga ana tjetër analisti Ismajl Tasholli.

Analistët vlerësojnë gjithashtu se Serbia është ajo që po e bllokon dialogun duke kërkuar heqjen e taksës e jo Kosova.

Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën ndaj produkteve serbe në Nëntor të vitit të kaluar, ndërsa Serbia ka stopuar vazhdimin e dialogut duke e kushtëzuar me heqjen e taksës.

Tv Klan