E aplikon vetëm Korça, Tirana nis në dhjetor

Taksa e banesës sipas vlerës së tregut nuk po mblidhet. Nga 61 bashki në të gjithë vendin, vetëm bashkia e qytetit të Korçës e ka mbledhur atë sipas vendimit të dalë në muajin prill.

Asnjë bashki tjetër nuk ka arritur ta vjelë këtë taksë për shkak të mungesës së vetëdeklarimit dhe të të dhënave për sipërfaqet reale të banesave.

Nga muaji dhjetor pritet që faturimi për këtë taksë të nisë edhe në Tiranë, përmes ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve, që do të luajë rolin e agjentit të mbledhjes së taksës. Në kryeqytet, deri tani 70 mijë familje kanë bërë vetëdeklarimin e pronës së tyre.

“Qytetarët do të faturohen sipas vlerës që ata janë vetëdeklaruar, dhe për ata qytetarë që nuk janë vetëdeklaruar dhe nuk ka asnjë të dhënë alternative nëpërmjet sipërfaqes së prezumuar siç përcaktohet në VKM”, shprehet zv/drejtoresha e përgjithshme e UKT, Evis Gjebrea.

Qyteti i Durrësit dhe Lezhës kanë mangësi me të dhënat e abonentëve dhe banesave. Në një përgjigje për Tv Klan, Bashkia e Durrësit thotë se nuk ka arritur të mbyllë të gjithë procesin e verifikimit të banesave dhe po operon mbi bazën e çmimit mesatar referues të shitblerjes së ndërtesave dhe jo në bazë të vlerës së tregut.

E njëjta situatë është edhe në Lezhë.

“Nuk kemi informacion për të dhënat për metër katror. Në të dhënat që janë sot nuk faturohet taksa për banesa, por vetëm për shërbimet publike”, shprehet drejtori i taksave dhe tarifave vendore Arjan Barbullushi.

Që prej daljes së VKM në vitin 2018 Bashkitë janë ende në tranzicion duke punuar si me regjistrin e agjentëve taksambledhës dhe me atë qendror.

Taksa vjetore që do të paguajnë qytetarët llogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e apartamentit me çmimin e vlerësimit dhe me vlerën 0.05% që është përqindja e taksambledhësit.

Tv Klan