Një vit më parë, Qeveria Shqiptare miratoi një VKM që vendosi heqjen e taksës së pasurisë për një kategori të caktuar qytetarësh, sikurse janë një pjesë e pensionistëve, persona me aftësi të kufizuar dhe veteranë lufte. Edhe pse e miratuar në vitin 2018, kjo VKM hyri në fuqi në Janar 2019, e megjithatë kjo kategori qytetarësh vazhdojnë ta paguajnë taksën e pasurisë. Pikërisht këtë problematikë ka trajtuar emisioni “Stop” në Tv Klan, pas ankesave nga disa pensionistë të Elbasanit.

Stefan Cipi dhe Mehmet Miraku tregojnë sorollatjen pa rezultat nëpër zyrat e shtetit.

“Jam në moshën 96 vjeç, pensionist veteran lufte. Muajin Janar erdhi taksa e asaj, mora librezën dhe shkova në Bashki. Më thanë që këtë muaj do ta paguash, Shkurti do hiqet. E pagova, Shkurti erdhi prapë. Vajza prapë në Bashki, ishte një tjetër aty dhe tha do ta paguash, por për muajin tjetër do hiqet. Erdhi Marsi, prapë në Bashki. Ishte një tjetër, do hiqet tha”.

“Kemi vajtur nga muaji në muaj, na sorollasin, edhe deri më sot më kanë mbajtur”.

Gazetarja e Stop shkoi pranë zyrave të UKE për të kërkuar informacion lidhur me këtë çështje. Punonjësja shpjegoi gjithë dokumentet që duhen plotësuar për të përfituar heqjen e taksës.

Punonjësja e UKE: Sipas njoftimit, të gjithë shkojnë aplikojnë tek QKR. Aty është një punëtorja jonë, e cila merret me këtë gjë. Dorëzojnë dokumentacionin e duhur, tek QKR, atje ka punëtorë që merret me verifikimin e dokumentacionit. Do dorëzojë fotokopjen e librezës së pensionit, fotokopjen e kartës së identitetit edhe librezën e ujit. Pastaj ka personel tjetër që merret me verifikimin e sigurimeve shoqërore. Nuk përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve.

Ndërsa Entela Binjaku, koordinatore për taksën e pasurisë, thotë se fluksi i aplikantëve është i lartë, më shumë se 3 mijë të tillë. Ajo sqaroi se do të dalë një tjetër vendim që do të rimbursohet pagesa e bërë nga pensionistët gjatë këtyre muajve që ligji ka hyrë në fuqi.

“Ka hyrë në fuqi në datë 1 Janar 2019. Automatikisht do dali një urdhër nga Bashkia, sikurse ka dalë, që do t’i kompensohet taksa e Janarit”. /tvklan.al