Përveç luftës me institucionin e presidentit për kthimin e ligjit të tatimit mbi të ardhurat, Ministra e Financave dhe Ekonomisë tashmë ka përballë edhe një betejë me bashkitë.

Çështja e shtyrjes në kohë të mbledhjes së taksës së pronës sipas metodologjisë së re, e cila duhet të zbatohej që prej 1 Prillit, ka bërë Financat t’ia heqin të drejtën që i dhanë pushtetit vendor për të caktuar vetë agjentin tatimor që do të vjelë paratë. Me anë të një projektvendimi, ministri i Financave Arben Ahmetaj propozon që taksa të mblidhet te fatura e dritave.

Në Prill qeveria vendosi që pushteti lokal të zgjidhte vetë agjentin, dhe nga pjesa dërrmuese e bashkive u caktua ujësjellësi, por tashmë propozohet që agjenti i ri të jetë OSHEE. Për këtë shërbim në arkën e kompanisë së shpërndarjes do të kalojnë 4% të totalit të taksës që do të mblidhet.

Prej Janarit të vitit të ardhshëm në faturën e dritave do të shtohet edhe shuma e re e taksës së ndërtesës.

Koncepti i taksimit të pasurisë sipas metodës së re është vlera e saj, ku për familjarët do të jetë 0.05% në vit dhe për bizneset 0.15%. E gjithë shuma do të përpjestohet çdo muaj te fatura e dritave. Një pjesë e mirë e planit të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit nuk është realizuar për shkak të shtyrjes së zbatimit të metodës së re të taksës së ndërtesës.

Tv Klan