Ashpërsohen gjobat, rivlerësim i banesës dhe zbatimi i fiskalizimit

Viti 2020 nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në barrën tatimore të biznesit, por penalizimet për fshehje të të ardhurave do të jenë të dyfishuara duke nisur që sot.

Çdo biznes që nuk lëshon kupon tatimor, më parë gjobitej me 50 mijë lekë, ndërsa sot moslëshimi i kuponit e penalizon atë me 100 mijë lekë për ndërmarrjet e vogla dhe 150 mijë lekë për tatimpaguesit e mëdhenj.

Këtë vit çdo biznes që investon në industrinë e prodhimit të automjeteve përfiton normë 5% të tatimit mbi fitimit, ndërsa sipërmarrjet që investojnë mbi 10 milionë dollarë do të lejohet të mbartin humbjet për një periudhë 5-vjeçare.

Qeveria ka vendosur që të bëjë një tjetër përjashtim nga TVSH-ja për makinat e reja me kilometrazh zero, të cilat kanë motor elektrik.

Në miratimin e paketës fiskale për vitin 2020, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur po ashtu që të detyrojë çdo person që është i dy punësuar, që të plotësojë deklaratën individuale të të ardhurave personale, pavarësisht nëse e kalon apo jo pragun e realizimit të vlerës 2 milionë lekë në vit.

Nga sot çdo person, i cili kërkon të bëjë rivlerësimin e banesës, do të ketë mundësi që të vlerësojë atë me vlerën e tregut, e në këmbim të paguajë vetëm 2%, nga 15% që është në fuqi.

Edhe kalimi i pasurisë për pronat që dhurohen brenda familjes, nga prindi te fëmija dhe nga bashkëshorti te bashkëshortja nuk do të taksohen. Si kufizim është vendosur që vlera e pasurisë të mos jetë më e madhe se 30 milionë lekë të rinj dhe shtëpia të jetë banesë e parë që posedohet për marrësin.

Në periudhën e fundit të vitit, bizneset do të ndryshojë tërësisht mënyrën e deklarimit, duke hequr kasat fiskale e duke përdorur faturën elektronike. Në muajin Shtator sipërmarrjet do të raportojnë përmes një sistemi të ri, i cili do të bëjë raportimin e shitjeve në serverin e tatimeve në kohë reale, duke zbehur ndjeshëm mundësitë për evazion fiskal.

Tv Klan