FIFA po përballet me negociata komplekse me autoritetet amerikane, pëpara Botërorit për Klube, pasi dështoi që të siguronte përjashtime të taksave për 32 klubet pjesëmarrëse.

Në Mars FIFA njoftoi se nga formati në formën e një kampionati, shpërblimet për eventin arrinin kuotën e 1 miliard Dollarëve, nga të cilat 125,8 milionë Dollarë do të kalonin për ekipin fitues. Megjithatë, pa marrëveshje fiskale, klubet rrezikojnë të humbasin dhjetëra milionë Dollarë, të cilat duhet t’ia paguajnë autoriteteve amerikane, teksa kanë edhe taksa në vendet e origjinës, raporton The Guadian.

FIFA ka arritur të sigurojë përjashtim nga taksat vetëm për skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës 2026, ndërsa koha e shkurtër e projektimit të Botërorit për Klube nuk lejoi që të tilla përfitime të garantohen edhe për këtë event.

Qeveria e futbollit po këmbëngul që të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë dhe beson se do t’ia dalë.

Jo rastësisht Infantino është takuar dy herë me Presidentin Donald Trump në Mars, duke çuar në studion ovale edhe trofeun e Botërorit për Klube.

Turneu do të nisë më 14 Qershor dhe mbyllet me finalen e 13 Korrikut.

Klan News