Qeveria ndan vlerën e pagesës së tatimit për kategoritë e biznesit

Duke nisur nga sot, të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitet në fushën e parkingjeve, aktiviteteve sportive, aeroporteve, shkollave private, magazinave, fabrikave, depove dhe pishinave, përfshirë ato që janë të mbyllura, do të detyrohen që të paguajnë taksë pronësie.

Tatimi i pronës në bazë të vlerës së tregut hyri në fuqi që më 1 Prill të vitit 2018, por për shkak se vendimi i atëhershëm nuk detajonte subjektet që duhet të paguanin, qeveria miratoi një shtesë duke futur edhe kategoritë e bizneseve prodhuese, industriale, si dhe ato që ushtrojnë aktivitet në ambiente sportive, duke përfshirë edhe institucionet arsimore jo publike.

Veprimtaritë sportive, parkingjet, portet, aeroportet dhe pishinat do të duhet të paguajnë taksë 0.2% për 30% të vlerës së sipërfaqes së tyre, ndërsa të gjitha kategoritë e tjera që kanë ambiente të mëdha, në fabrika, magazina, shkolla apo depo do të paguajnë 0.2% taksë për çmimin që ka gjysma e ambienteve që kanë në pronësi.

Tatimi do të paguhet një herë në vit, i përpjestuar në 12 muaj, ku si agjent tatimor për të mbledhur taksën është ngarkuar drejtoria e ujësjellësit të qytetit. Vlera e pronës që merret si referencë është fillimisht mesatarja e shitjeve në atë zonë gjatë 3 viteve të fundit, e në rastet që nuk ka të dhëna merret çmimi fiskal i hartës së tokës që përdor Agjencia e Kadastrës.

Tv Klan