Një taksist që transportonte lëndë narkotike është arrestuar nga Policia e Lezhës. Në pranga ka rënë 52-vjeçari me iniciale L.H. nga Mamurrasi.

52-vjeçari, me një automjet taksi, transportonte 10.2 kg kanabis. Policia, që kishte marrë informacion në rrugë operative për këtë transport, ngriti postbllok dhe i bëri shenjë drejtuesit që të ndalonte.

Por 52-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe gjatë tentativës për t’u larguar përplasi një nga makinat e policisë. Ai u ndalua dhe u arrestua në flagrancë. Brenda mjetit taksi iu gjet dhe sekuestrua lënda narkotike.

Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. /tvklan.al