Sindikata: Mbi 3 mijë punonjës të këtij shërbimi të rrezikuar nga Covid-19

Mbi 3 mijë punonjës të shërbimit taksi kërkojnë të vaksinohen për shkak se janë në kontakt me qytetarë të ndryshëm. Sindikata e tyre i ka dërguar kërkesë qeverisë që të nise procesin e imunizimit ndërkohe tek vaksinodromi në “Sheshin Skenderbej” grupmoshat mbi 60 vjeç po marrin dozën e parë të AstraZeneca.

Në më shumë se një vit pandemi, punonjësit e shërbimit taksi kanë qenë dhe janë ende të riskuar nga infektimi me Covid-19, ndaj i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të përfshihen në procesin e vaksinimit. Sipas Kreut të Sindikatës së Taksive, Bilbil Cara rreth 3 mijë taksistë në të gjithë vendin kërkojnë të imunizohen

“Ne i kemi dërguar kërkesën Ministrisë së Shëndetësisë dhe për dijeni edhe ministrit të Shtetit dhe deri më sot nuk ka asnjë lloj përgjigje për punën e vaksinimit të shërbimit taksi, vetëm Tiranë, Vorë dhe Kamëz janë 2 mijë taksi me licencë, gjithë Shqipëria është mbi 3 mijë”, është shprehur Bilbil Cara, Kryetar i Sindikatës së Taksive.

Teksa pjesë e vaksinimit të popullatës janë bërë edhe punonjësit e transportit public, ende nuk ka një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë se kur do të filloje ky proces për taksistët.

Që prej nisjes së imunizimit të qytetarëve në vendin tone, janë kryer mbi 600 mijë vaksinime anticovid. Së fundmi edhe tek qendra e vaksinimit te sheshi Skënderbej përpos vaksinës kineze Sinovac, moshat mbi 60-vjeçare mund të imunizohen edhe me dozën e parë të AstraZeneca.

Klan News