Ka dështuar interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Nga 104 deputetët e pranishëm në sallë, 61 kanë votuar “kundër”, 43 “për” dhe nuk pati asnjë të “përmbajtur”

Kryeparlamentari Talat Xhaferi mori besimin e shumicës së deputetëve gjatë interpelancës së iniciuar nga opozita. “Kundër” votuan 61 deputetë, “Për” 43, kurse nuk kishte “të përmbajtur”.

Pas seancës, Kryeparlamentari Xhaferi tha se nuk do të lejojë të uzurpohet shtëpia ligjvënëse.

“Gjithsesi jam I shkarkuar nga obligimet partiake dhe mundohem që deri në fund atë përcaktim nga 2017-ta ta çoj deri në fund. Komunikimi vazhdon me çdo njërin që ka vullnet dhe nevojë të komunikojë me mua si Kryetar parlamenti”

Interpelancën për punën e Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, VMRO-DPMNE-ja e dorëzoi më 30 Maj. Deputetët e opozitës kanë thënë se Xhaferi në mënyrë joprofesionale ka kryesuar me Kuvendin dhe disa herë ka shkelur dispozitat e Kushtetutës.

Talat Xhaferi u zgjodh Kryetar i Kuvendit më 27 Prill të vitit 2017, ditë kjo e njohur si e “enjtja e përgjakshme” kur protestues të shumtë sulmuan parlamentin.

Klan Macedonia