Mijëra afganë marrin arratinë nga vendi

Talebanët janë 11 kilometra larg Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit. Lajmin e bën të ditur agjencia prestigjioze Associated Press, që citon zyrtarët lokalë, sipas të cilëve nëse avancimi vazhdon, në portat e Kabulit mund të nisë brenda pak orësh një betejë e përgjakshme.

Presidenti Ashraf Gani, gjatë një konference për shtyp, bëri thirrje për bashkimin e gjithë grupimeve lokale për t’i bërë ballë ofensivës së ekstremistëve sunitë, të cilët në pak javë kanë shtënë nën kontroll 65% të territorit të vendit.

Në orët e para të së Premtes, ata morën kontrollin edhe të Kandaharit, qytetit të dytë më të rëndësishëm të vendit, ndërsa kanë rrethuar edhe Heratin, që mund të bjerë nga momenti në moment.

Pentagoni dërgoi 3 mijë trupa në ndihmë të forcave afgane të sigurisë, por edhe për evakuimin e qytetarëve amerikanë dhe stafit diplomatik në Kabul. Të tjera seli diplomatike perëndimore evakuuan orët e fundit stafet e tyre diplomatike. Megjithatë zëdhënësit e Pentagonit thanë se Kabuli nuk është në rrezik urgjent pushtimi.

Me mijëra janë banorët e zonave të pushtuara nga talebanët, të cilët kanë marrë arratinë kryesisht drejt Pakistanit. Kreu i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se talebanët po kryejnë krime kundër njerëzimit, që do të përshkallëzohen me vendosjen e Sheriatit, Kushtetutës së ashpër islamike, nëse rikthejnë sundimin e para vitit 2000.

Tv Klan