Mbështetje nga Kina e Rusia, Perëndimi gati kriteret për njohjen

Këto ditë janë vendimtare për të ardhmen e Afganistanit. Mullah Baradari, lideri politik i talebanëve mbërriti këtë të shtunë në Kabul, ku pritet të organizojë bisedimet për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në Afganistan.

Talebanët thanë gjatë javës se asnjë palë nuk është e përjashtuar nga pjesëmarrja, pasi synimi i tyre kryesor është krijimi i një shteti të begatë dhe të drejtë për të gjithë sipas kushtetutes islamike, të njohur ndryshe si Sheriati.

Bisedimet do të nisin brenda pak ditësh, ndërsa rezultate të pritshme mund të ketë në ditët e para të Shtatorit pas përfundimit të procesit të evakuimit të stafeve diplomatike perëndimore dhe bashkëpuntorëve të tyre afganë.

Për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s, talebanët janë një qeveri ilegjitime që pushtetin e ka marrë me dhunë.

Megjithatë, Presidenti amerikan Biden tha se Uashingtoni ishte në pritje të qasjes që do të shfaqte qeveria e re për të vendosur nëse do ta njohin apo jo.

Javën e ardhshme, përfaqësues të G7 do të takohen për të diskutuar rreth këtyre zhvillimeve.

Udhëheqësit mund të bien dakord për një listë kriteresh që talebanët do të duhet të zbatojnë përpara se ata të shqyrtojnë mundësinë e njohjes së tyre diplomatike.

Ndërsa vende si Kina dhe Rusia dhanë sinjalet e para të njohjes duke i shtrirë menjëherë dorën e bashkëpunimit regjimit taleban. Në të njëjtën linjë është edhe Turqia.

Tv Klan