Edi Blloshmi, një nga yjet e baletit shqiptar dhe drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit,  ishte i ftuar në “Rudina” në Tv Klan për një intervistë rreth jetës së tij. Pas 20 viteve në Kanada e më pas në Francë, ai u rikthye duke marrë fillimisht detyrën si anëtar bordi në institucionin më të rëndësishëm të artit në Shqipëri dhe tanimë sjell një frymë e vizion të ri.

Ndërsa kthen sytë nga e shkuara, Blloshmi shprehet se i përket atij brezi që nuk kishte zgjidhje tjetër  përveçse t’ia dilte mbanë kur i jepej mundësia të shkonte jashtë vendit. Ai kujton fillimet në Kanada ku për shkak të talentit, aftësisë dhe disiplinës, spikati që në muajt e parë.

Edi Blloshmi: Shkova në Kanada, nga solist këtu që isha te teatri, shkova në shkollë prapë vetëm që të shkoja në Kanada.

Rudina Magjistari: Fillove shkollën prapë nga e para vetëm që të shkoje në Kanada.

Edi Blloshmi: Për dy muaj që ndenja aty, drejtori  i parë që erdhi na pa, ma dha mua kontratën, shkova  në Montreal ku ndenja 10 vjet dhe u bëra solist i parë atje.

Rudina Magjistari: Dhe thanë ky s’ka nevojë, duhet të dalë drejt e në skenë apo jo?

Edi Blloshmi: Me të vërtetë s’kisha nevojë sepse këtu m’i kishin dhënë të gjitha teknikat e baletit klasik,  gjithashtu edhe kontemporan.

Rudina Magjistari: Po Kanadaja çfarë të mësoi në aspektin profesional, por edhe atë personal? Të jetoje  vetëm, të nisje një jetë nga e para…

Edi Blloshmi: Ekzakt. Fillimi ishte shumë ndryshe nga Shqipëria. Kur shkova atje nuk flisja anglisht fare.  Vetëm “yes”, “no”, “I love you”, kaq dija.

Rudina Magjistari: Kush të dilte përpara, “I love you”./tvklan.al