Talebanët ndalojnë sportet për gratë afganë





Talebanët ndalojnë sportet për gratë afganë

10:11 09/09/2021

Talebanët: Sportet ekspozojnë fytyrën dhe trupin e grave

Grave  afgane nuk do tu lejohen  të marrin pjesë në  sporte përfshirë kriketin. Ky është një lloj sporti mjaft i popullarizuar në Afganistan.

Lajmin e ka bërë të ditur Nënkryetari i Komisionit Kulturor të Afganistanit Ahmadullah Wasiq, i cili u tha mediave se aktivitetet sportive nuk janë të nevojshme për gratë.

Sipas talebanëve ky sport mund të zbulojë fytyrën dhe trupin e grave dhe “islami nuk lejon që gratë të shihen në atë mënyrë”. Në arsyetimin e tij ai ka thënë se tani jemi në epokën e mediave dhe mund të publikohen fotografi dhe video të grave të cilat pastaj njerëzit mund t’i shikojnë.

Gratë në Afganistan po përballen me një të ardhme të pasigurt pasi talebanët kanë marrë pushtetin. Por në të  njëjtën situatë janë edhe sportistët.

Gjatë sundimit të tyre të viteve 1990, talebanët ndaluan shumicën e formave të argëtimit dhe shumë sporte. Sakaq përjashtimi i femrave nga kabineti qeveritar por edhe nga shumë aktivitete të tjera e ka vënë në pikëpyetje premtimet e tyre se do i mbrojë të drejtat e grave dhe vajzave afgane.

 Ndërkohë  disa qytetarë  afganë kanë protestuar kundër vendosjes së kufizimeve të ashpra në liritë e njerëzve dhe grave por këto protesta janë shtypur nga talebanët.

Klan News













Të ngjashme