Operacion pa rezultat në rrethinat e Elbasanit

Talo Çela i ka shpëtuar operacionit të gjashtë që RENEA zhvillon për arrestimin e tij. I cilësuar si një nga personat e shumëkërkuar nga Policia, Talo Çela akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës dhe grabitjen e Rinasit. RENEA ka kontrolluar një vilë pranë Elbasanit, ku u mor informacion se Talo Çela e përdorte si strehë. Por duket se Çela kishte lëvizur nga banesa pak para se të mbërrinin forcat speciale.

Burime nga Policia saktësojnë se ka informacione që Talo Çela ka lëvizur në këtë zonë, sidomos edhe pas vrasjes së të vëllait Bujar Çela, pak ditë më parë. Emri i Talo Çelës ka dalë në dritë përmes dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla, të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, për të futur lehtësisht në pistën e Rinasit, atje dhe ku ndodhi grabitja.

Ndërkohë në kërkim në Elbasan janë edhe personat që kryen ekzekutimin e Bujar Çelës. Në pranga ka rënë Erion Alibej, njeriu që ka porositur vrasjen, por jo ekzekutorët. Pavarësisht disa kontrolleve që janë bërë nga policia, edhe ata nuk janë gjetur ende. Policia e Elbasanit i trembet një tjetër hakmarrje pas vrasjeve që kanë ndodhur në këtë zonë, si një luftë mes grupeve kriminale. Brenda 2 muajsh në Elbasan janë vrarë Emiljano Ramzani, Regis Runaj dhe Bujar Çela.

Tv Klan