“Një tango Ju lutem”!
Kërcimtarja e famshme argjentinase, Mora Godoi e ftoi presidentin amerikan Barak Obama nën ritmin e kërcimit simbol të Argjentinës.
Ai pranoi me pak hezitim, ndërsa Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Mishel Obama u “rrëmbye” nga një kavalier elegant.
“Obama ma tha se nuk dinte të kërcente, ndërsa unë i kërkova vetëm të ndiqte hapat e mi. Ai mu përgjigj: OK”, – tregon Mora Godoi për të përditshmen “La Nacion”. “Më pas, isha unë që ndiqja hapat e tij, ishte një kërcimtar shumë i mirë”.
Tangoja zgjati vetëm pak minuta dhe u duartrokit nga Presidenti argjentinas Mauricio Macri, e shoqja Juliana Avada dhe rreth 500 të ftuarit në darkën e organizuar pranë Qendrës Kulturore Kirshner të Buenos Airesit.
Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se ndërsa “Brukseli digjet, Obama kërcen tango”, ndërkohë që duhet të kishte ndërprerë turin e tij në Amerikën e Jugut. Të paktën 9 amerikanë u plagosën në sulmet e Brukselit.
Tangoja, origjina e të cilës është në Argjentinë dhe Uruguaj në fund të viteve 1800, është një prej elementeve më të njohur të kulturës argjentinase. Në vitin 2009, u perfshi në Listën e Trashëgimisë Kulturore të Unesco-s.
Tv Klan