Kthimi në Tiranë e ka surprizuar çiftin Inida Gjata dhe bashkëshortin e saj gjerman pasi e kanë gjetur atë edhe më të bukur, me ngjyra dhe shumë më bukur sesa qyteti që lanë 10 vite më parë pasi e kanë gjetur të ndryshuar.

Në fillim iu dukej disi e çuditshme pasi ende nuk ishin mësuar, por tashmë iu duket më miqësor dhe iu pëlqejnë të gjitha ndryshimet e bëra në të.

Ata nuk kanë humbur as rastin për të vizituar jugun e Shqipërisë, për të cilin shprehen se është edhe destinacioni i preferuar i tyre për shkak të larmishmërisë.

Rudina Magjistari: Flasim pak për Tiranën, si ishin përshtypjet e para? Christian, edhe ti kthehesh pas 3 vitesh në Shqipëri, e njihje Shqipërinë sigurisht më herët, si t’u duk tani që u ktheve?

Christian Kreuz: Ishte pak e çuditshme në fakt në fillim sepse përpara 10 vitesh unë isha këtu, por më duhet të them që gjërat shkuan shumë mirë, u ndjeva shumë shpejt sërish në shtëpinë time dhe gjithashtu mendoj që kam atë ndjesi që qyteti duket më miqësor tani se sa ç’më është dukur atëherë. Mendoj që nuk mund të thuash vërtetë kur ke qenë larg për një kohë kaq të gjatë që diçka ka ndryshuar. Sigurisht që mund të ndryshosh, ne kemi shkuar edhe në jug.

Rudina Magjistari: Po kaq shpejt, ju sa erdhët.

Inida Gjata: Shkuam në Dhërmi, u kthyem brenda ditës.

Christian Kreuz: Thjesht për një ditë shkuam atje sepse më pëlqen shumë jugu i Shqipërisë, më pëlqen vërtet. Unë kam jetuar në Tiranë më parë me Inidën, por nuk kemi kaluar aq shumë kohë në jug, por po përpiqemi të kalojmë kohë sepse na pëlqen. Unë qetësohem vërtet kur jam atje, ka diçka për bregdetin, për plazhin, për malet. I gjithë ky kombinim për mua është shumë qetësues.

Ndërsa Zhaku rrëfen se e kishte marrë malli për çdo rrugicë e kafene të vogël të Tiranës, por sidomos për prindërit dhe miqtë e saj, madje nuk heziton të rrëfejë as një episod me babain e saj, regjisorin Leonard Gjata. Ky i fundit, prej disa vitesh, vuan nga paraliza.

Rudina Magjistari: Për çfarë të kishte marrë malli më tepër?

Inida Gjata: Më kishte marrë malli pikërisht për këtë dashurinë e njerëzve, mikpritjen, rrugicat, kafenetë. Bizneset kanë ecur shumë, ne vumë re edhe një përmirësim në cilësinë e ushqimit, në Vlorë na pëlqeu shumë. Për çdo gjë më kishte marrë malli, për mamin, për babin, për miqtë që jam duke i takuar se ngaqë jemi të zënë nuk kemi patur shumë kohë për ta bërë.

Rudina Magjistari: Babi si është, mami duket mirë, por babi?

Inida Gjata: Babi nuk është mirë, sa shumë të donte ai ty Rudina, vdiste, të adhuronte.

Rudina Magjistari: Edhe unë, kam kujtime aq të bukura kur kemi punuar bashkë.

Inida Gjata: Edhe ai me ty. Babi nuk ka as përmirësim, asgjë, më vjen keq, por nuk kemi as ne çfarë t’i bëjmë sepse është një situatë e pandryshueshme. Përpiqet edhe mami, kemi edhe njerëz që përpiqen që atij t’i ecë sa më mirë, por nuk ka përmirësim.

Rudina Magjistari: U kënaq tani që erdhe?

Inida Gjata: U kënaq kur më pa, po. Unë i sjell veshje e gjëra, por kur i sjell çokollatat e preferuara dhe sapo i pa u gëzua shumë. /tvklan.al