Gazetarët dhe dëshmitarët në Rafah të Gazës kanë raportuar se tanket izraelite kanë marrë kontrollin e rrethrrotulllimit kyç në qendër të qytetit. Marrja e rrethrrotullimit të quajtur al-Awad, rreth 500 metra nga kufiri me Egjiptin erdhi mes bombardimeve intensive izraelite.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se 21 persona u vranë dhe 64 u plagosën në kampin e Rafahut gjatë të martës. Qindra-mijëra njerëz të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës janë strehuar në Rafah.

Ndërkohë, OBSH ka paralajmëruar se spitali i fundit operativ në Rafah mund të bëhet jofunksional nëse Izraeli fillon një inkursion të plotë në qytetin jugor të Gazës.

“Nëse inkursioni do të vazhdonte, ne do të humbnim spitalin e fundit në Rafah,” tha Richard Peeperkorn, përfaqësuesi i agjencisë së OKB-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.

Gjatë së dielës, sulmet ajrore izraelite vranë 45 persona në Rafah, në kampin ku strehoheshin personat e zhvendosur nga lufta, ndërsa Izraeli e quajti atë një fatkeqësi tragjike. Ndërkohë shumë palestinezë janë larguar nga strehimoret e përkohshme në Rafah pas sulmeve ajrore dhe zjarrit me tanke nga forcat izraelite gjatë natës.


/tvklan.al