Analisti ushtarak Ed Arnold thotë se dërgimi i tankeve nuk e përshkallëzon luftën

Një analist i lartë ushtarak thotë se tanket e betejës të prodhuara nga perëndimi do t’i japin avantazhin Ukrainës në fushën e betejës duke sfiduar tanket ruse. Një hap që sipas studiuesit Europian të Sigurisë i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, Ed Arnoldo t’i japin avantazh në një ofensivë të mundshme të Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania ranë dakord të mërkurën për të dërguar tanke në Ukrainë, lëvizje që Kievi e përshëndeti si një pikë kthese në betejën për të zmbrapsur pushtimin rus.

Vendimi i Gjermanisë hap rrugën për vendet e tjera si Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda, Norvegjia dhe Kanadaja për të furnizuar Ukrainën me disa nga tanket e tyre Leopard 2.

Studiuesi Ed Arnold tha se tanket amerikane M1 Abrams, ato britanike Challenger 2 dhe gjermanet Leopard 2 mund të jenë kyç në dëbimin e forcave ruse nga territori i pushtuar.

“Ju duhet të shihni një tank si një bashkim pjesësh, e cila tani është pothuajse pjesa e fundit në bashkimin e pajisjeve ushtarake për të cilat Ukraina ka nevojë për të ndërmarrë ofensivën.”

Veprimi i Gjermanisë dhe i ShBA-së hedh poshtë përfundimisht tabutë e fundit për mbështetjen perëndimore për Ukrainën: ofrimin e armëve që kanë një qëllim kryesisht sulmues dhe jo mbrojtës. Perëndimi ka hezituar të dërgojë armë të rënda sulmuese nga frika e provokimit të Rusisë, një fuqi bërthamore.

Studiuesi Arnoldthotë se veprimet e Perëndimit nuk mund të përshkallëzojnë më tej konfliktin, pasi tani Rusia nuk është në gjendje të intensifikojë luftën e saj në Ukrainë.

 “Sipas Putinit, Kherson-i është një qytet rajonal rus. Përsëri pas rimarrjes nga ukrainasit, nuk pati përshkallëzim. Mendoj se pika kryesore e përshkallëzimit dhe veçanërisht vija e kuqe do të jetë statusi i Krimesë. Nëse ajo është e kërcënuar ushtarakisht, atëherë kjo mund të jetë një pikë përshkallëzimi. Por unë nuk i shoh tanket e betejës si një përshkallëzim”.

Rusia deklaroi se dërgimin e tankeve perëndimore në Ukrainë e percepton si dëshmi të përfshirjes direkte dhe të SHBA-së dhe Europës në konflikt.

Ukraina pritet që tani të bëjë presion për avionët luftarakë amerikanë model F-16.

Klan News