Shkollën e re të Strumës në Roskovec, Kryeministri Rama e sheh si frut të negociatave me kompaninë TAP të kryera prej qeverisë së tij. Kryeministri përsëriti premtimin për dhënien e librave falas për nxënësit e shkollave fillore.

Investimin prej 567 mijë Euro për rindërtimin e shkollës “7 Dëshmorët” në fshatin Strumë të Rroskovecit nga TAP, nga Kryeministri Rama vlerësohet si rezultat i negociatave që qeveria e tij çeli me kompaninë.

“Kjo shkollë edhe një sërë shkollash të tjera, si dhe të tjera vepra infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura prej nesh, pasi ishte firmosur kontrata nga qeveria e mëparshme, ku kishim trashëguar vetëm 6 milionë euro në formë kontributesh të kompanisë për komunitetin dhe arritëm me negocime jo edhe aq të lehta, por në fund të suksesshme dhe të mirëkuptuara edhe nga pala tjetër ta rrisim këtë fond në mbi 30 milionë. Sigurisht që është për ne vërtet kënaqësi të shikojmë rezultatet e këtij ndryshimi të rëndësishëm në kontratën e trashëguar, por patjetër që ne duam të bëjmë edhe shumë më tepër akoma”.

Kryeministri përsërit premtimin për dhënien e librave falas për nxënësit e shkollave fillore, projekt që do të nisë nga zbatimi që prej vitit të ardhshëm.

“Më vjen shumë mirë që të gjithë fëmijët që takova, duke filluar nga viti i ardhshëm, do t’i marrin librat falas, pra të gjithë fëmijët e fillores do t’i kenë librat falas, që do të jetë një lehtësim i rëndësishëm për buxhetin e prindërve të tyre që mund të përdoret pastaj për të tjera gjëra në shërbim të fëmijëve”.

Si pjesë e programit të qeverisë për investimet në infrastrukturën kombëtare, vjen dhe projekti për ndërtimin apo rindërtimin e shumë shkollave në vend.

Tv Klan