Rriten kuotat që Igli Tare të emërohet drejtor sportiv i Milanit. Mediat në Itali konfirmuan se ish-kapiteni i Kombëtares u takua me administratorin e klubit, Giorgio Furlani.
Biseda në Romë nisi përpara drekës dhe zgjati deri pasdite. Më tepër se katër orë diskutime, duke nxitur zërat se me gjasë Tares do t’i besohet posti i rëndësishëm për të ndërtuar ekipin e së ardhmes te kuqezinjtë.
Gjatë takimit, administratori i kuqezinjve i shpjegoi botën e Milanit në të gjitha aspektet dhe biseda u cilësua si “tejet pozitive”. Për momentin nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare, por palët do të mbeten në kontakt.
Gazzetta dello Sport theksonte se pasi të kenë nxjerrë konkluzionet e veta, në ditët në vijim palët do të vendosin rreth nisjes së bashkëpunimit. Gjatë kësaj kohe, te Milani duhet të implementojnë një sërë hapash për të përcaktuar marrëveshjen, e cila duhet të miratohet nga të gjithë drejtuesit.
Takimi i Furlanit me Igli Taren ishte vetëm hapi i parë, pas kontakteve telefonike të zhvilluara në të kaluarën. Kjo nuk është hera e parë që drejtuesit e Milanit kontaktojnë ish-drejtuesin e Lazio-s, pasi më parë ai ishte takuar në Londër me pronarin Gerry Cardinale, pas këmbënguljes dhe sponsorizimit nga Zlatan Ibrahimovic, në rolin e këshilltarit kryesor të klubit.
Tv Klan