Drejtori sportiv i Lazio-s, Igli Tare ka komentuar afrimin e futbollistëve shqiparë në klubin bardhekaltër. Sipas tij, ai bashkë me stafin i kanë menduar mirë blerjet përpara se t’i bëjnë ato.
Aktualisht te skuadra e Lazio-s, luajnë katër futbollistë me origjinë shqiptare. Në portë është Thomas Strakosha, ndërkohë që në mbrojtje janë Riza Dyrmishi dhe Elseid Hysaj.
Pjesë e sulmit është futbollisti i Kosovës, Vedat Murriqi.
“Nuk është rastësi afrimi i tyre, është çështje besimi. Duke i njohur shumë mirë si futbollistë, mendova se ata mund të ishin të vlefshëm. Hysaj ishte një futbollist shumë i afirmuar edhe përpara se të vinte te Lazio.”
Por një tjetër lojtar me origjinë shqiptare mund të bëhet pjesë e skuadrës. Bëhet fjalë për shqiptaro-zviceranin Xherdan Shaqiri.
Kontakte midis të dyja palëve ka pasur, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë.
Tare ka folur edhe për gjendjen e skuadrës. Ai shprehet se një revolucion ka nisur me ardhjen e trajnerit Maurizio Sarri dhe se skuadra e re po merr formë.
“Mund të shkojmë shumë larg. E kemi transformuar ekipin. Kemi ide loje të re, trajner të ri dhe mentalitet të ri. Premisat janë të mira. Jemi ende një kantier i hapur, shpresoj në fund të Gushtit që ekipi të marrë formë.”
Drejtori sportiv beson se sezonin e ardhshëm, Lazio do të jetë protagonist në kampionatin italian.
Klan News