Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për lidhje familjare me një prej kompanive që ka fituar tenderin tek Unaza e Re.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Balla tha se Lulzim Basha shkon në takimet me banorët e Unazës së Re me makinën që është në pronësi të njërës prej këtyre kompanive.

“Takojmë edhe ne qytetarë të Unazës së Re dhe njëri prej tyre erdhi dje dhe solli këtë dosje për ty. Do ta lë këtu ta lexosh. Më tha, ne ndihemi të fyer që Lulzimi na vjen në protestë me makinën e pronarit të kompanisë që ndërton. “AA 111 EN”, kjo është makina që ti shkon përditë në protestën te Astirit.

Thotë që makina është në pronësi të kompanisë “Victoria Invest” një prej kompanive që ka fituar tenderin. Makinë me vlerën 53 mijë Euro. 

Ti i shkon pasdite për pasdite banorëvë të Astirit gjoja për t’i mbrojtur këta nga kompania që qenka e Edi Ramës. Po mirë, bufa na di ne? Ngreje kokën o burrë! Bufa na di ne që nuk e dimë lidhjen tënde me kompaninë “Victoria Invest”? Nuk e dimë ne që shumë mirë njëra nga vajzat e tua, shumë e mirë dhe e vogël, e ka emrin Viktoria?

Dhe sigurisht që janë disa arsye të kumbarllëkut. Kompania është kumbare e familjes tënde. Luli gëzuar festat, por bëhu burrë dhe hajde tani merre këtë të makinës se të duhet që të sqarosh edhe banorët e Astirit. Ndrysho makinën Lulzim, mos u shko më me makinën e firmës se banori më tha: “E di si na duket? Si menaxheri i firmës që ka ardhur të na mbushë mendjen”

,

 u shpreh Balla në Parlament.

Deklarata e kreut të grupit të PS dhe përmendja e emrit të vajzës së kryetarit të PD-së, ka sjellë reagimin e ashpër të Lulzim Bashës. Në replikën e tij, iu drejtua Taulant Ballës me këto fjalë:

“Instikti i parë është instikti i prindit. Dhe për atë që bëre këtu, instikti i parë ishte të të fusja një grusht. Por u ndala nga dy gjëra. E para e punës, që të prekësh mutin bëhesh vetë pis. E dyta, nuk do të arrija dot t’i përcillja qytetarëve tre pika. A kuptuat gjë ju pse nuk e votojnë Vettingun”?

Sa i përket makinës së tij, Basha tha se prej 6 vitesh e ka marrë me leasing nga një kompani automjetesh. 

/tvklan.al