Ora 12:00 e së dielës shënoi edhe nisjen e testimit për aplikimin e taksës që do të paguhet nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që do të kalojnë në Rrugën e Kombit.

Të gjithë automjetet kaluan pa iu kërkuar pagesa, ndërkohë që dhjetëra punonjës, përfshi edhe specialistë të IT nisën fazën e testimit të sistemit.

Testimi pritet të zgjasë deri javën e ardhshme dhe më pas do të përcaktohet data e fillimit të kalimit të automjeteve kundrejt pagesës.

Taksa do të aplikohet në 4 sportele të ndryshme, nga dy për çdo kah të lëvizjes dhe synimi i vendosjes së kësaj tarife është mirëmbajtja e këtij aksi rrugor.

Sipas Ministrisë së Transportit një motor që do të kalojë në Rrugën e Kombit do të paguajë 2.5 euro taksë, një veturë 5 euro, autobusët dhe kamionçinat 11.2 euro, një kamion i mesën 16.2 euro dhe një kamion i rëndë 22.5 euro.

Të përjashtuar nga taksat do të jenë patrullat e policisë rrugore, shërbimet zjarrfikëse dhe auto ambulancat.

Marrëveshja në 2016

Në Marrëveshjen e koncesionit, datë 6.12.2016 “Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim, mirëmbajtje të Autostradës Milot Morinë”, miratuar me VKM nr.870, datë 14.12.2016 “Për miratimin e kontratës se koncesionit, “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot – Morine”, ndërmjet Republikës se Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsoriumit “Catalyst Viva Das General Contracting, LLC-Salillari shpk – Bee Tech-Violiap Ateve – Kastrati sh.a., ndër të tjera parashikohet se:

Koncesionari përdor një shesh me dy kahe për pagimin e taksës ne afërsi të tunelit të Thirrës dhe Koncesionari mbledh dhe mban të ardhurat nga taksa e rrugës.

Objektivi kryesor i këtij projekti Koncesion/PPP i punimeve dhe shërbimeve është përmirësimi i Autostradës dhe shfrytëzimi dhe mirëmbajtja efikase e saj. Koncesionari do të përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë Autostradën sipas një pakete të paracaktuar të standardeve të performancës për një periudhë 30 vjeçare të koncesionit.

Taksa e rrugës karakterizohet dhe taksohet sipas përllogaritjes se klauzolës se kontratës se koncesionit, në varësi të klasës së automjetit në bazë të klasifikimit të Automjeteve.