Tarifat tregtare të Presidentit Donald Trump e dhanë efektin e parë negativ. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli parashikimin e rritjes ekonomike globale për vitin 2025 në 2,8% nga 3.3% që ishte në Janar duke argumentuar se tarifat dhe pasiguria e provokuar nga presidenti amerikan do ta ngadalësojnë ekonominë mbarëbotërore.
Rritja globale për vitin 2026 parashikohet të bjerë në 3%, gjithashtu nga 3,3%.
Kryeekonomisti i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, tha se ”ekonomia botërore po testohet ashpër” pas tarifave të reja të shpallura nga Trump. Zyrtari i FMN-së shtoi se edhe inflacioni pritet të bjerë më ngadalë se sa parashikohej në Janar.
“Ne po hyjmë në një epokë të re pasi sistemi ekonomik global që ka funksionuar për 80 vitet e fundit po përmbyset,” u tha gazetarëve Pierre-Olivier Gourinchas.
FMN tha se përshkallëzimi i shpejtë i tensioneve tregtare dhe “nivelet jashtëzakonisht të larta” të pasigurisë për politikat e ardhshme do të kenë një ndikim të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik global.
Perspektivat më të dobëta të rritjes kanë ulur tashmë kërkesën për Dollarë.
Klan News