Në vitin 2018 ishin 2 milionë e 947 mijë që hynë dhe dolën nga Shqipëria përmes të vetmit Aeroportit Ndërkombëtar, Nënë Tereza.

Taksat dhe tarifat që u mbahen pasagjerëve si nga shteti, ashtu edhe nga koncesionari nuk janë të vogla.

Si tarifë për sigurinë e udhëtarëve, çdo person që fluturon nga Rinasi duhet të paguajë 4 euro brenda çmimit të biletës, ku 3 euro shkojnë në xhepat e Aeroportit të Tiranës dhe 1 euro shkon në buxhetin e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Vetëm gjatë vitit të shkuar janë mbledhur të paktën 11 milionë euro nga kjo tarifë, 3 milionë kanë shkuar për Aviacionin Civil dhe 8 milionë për koncesionarin.

Pas dy vjedhjeve të ndodhura në aeroport, askush deri më sot nuk ka shpjeguar se si i investon paratë e kësaj tarife për të rritur sigurinë e qytetarëve.

Por kjo nuk është taksa e vetme që merret për sigurinë e lëvizjes në Aeroportin e Rinasit. Brenda çmimit të biletës, çdo pasagjer, përfshirë edhe minorenët, paguhet 10 euro si taksë kufiri.

Vitin e shkuar në buxhetin e shtetit janë derdhur 29.4 milionë euro për sigurinë e pasagjerëve në kufi. Por sërish askush nuk tregon se në çfarë mënyre janë menaxhuar këto para për të rritur sigurinë e tyre.

Koncesionari i Rinasit po ashtu mbledh edhe 12.5 euro nga çdo kalimtar mbi 12 vjeç për çdo shërbim që merr brenda aeroportit, ku vetëm për një vit llogaritet se nga kjo tarifë janë vjelë 30 milionë euro, ku 1 e katërta e tyre kanë shkuar sërish në buxhetin e shtetit.

Pavarësisht këtyre shpenzimeve të cilat për një udhëtar të vetëm, bileta nis me çmimin 26.5 euro, siguria në Aeroportin e Shqipërisë është cënuar disa herë.

Tv Klan