Një tjetër tarifë do të vendoset për kompanitë, të cilat prodhojnë ose tregtojnë me shumicë lëndë hidrokarbure në Shqipëri. Një nismë ligjore e dërguar për konsultim në grupet e interesit nga Ministrja Belinda Balluku, parashikon krijimin dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj.

Aktualisht kompanitë grosiste të karburanteve janë të detyruara që të mbajnë një rezervë nafte prej 90 ditësh, mesatare të shitjeve vjetore, rregull i cili nuk është respektuar. Në 2018-n rezerva duhet të kishte 218 mijë ton lëndë hidrokarbure.

Për këtë arsye, qeveria do të ngrejë një agjenci shtetërore, që do të krijojë dhe menaxhojë rezervën. Për të kryer të gjithë procesin, projektligji detyron kompanitë që të paguajnë një tarifë në momentin që paguajnë akcizën e naftës në doganë, e cila do t’i kalojë agjencisë që do të krijojë menaxhimin e rezervës energjetike të kësaj lënde.

Vlera e tarifës ende nuk është vendosur, por do të jetë Ministri përgjegjës që do të përcaktojë nivelin e saj.

E kontaktuar nga Televizioni Klan, Shoqata e Hidrokarbureve tha se pret një takim nga përfaqësuesit e Ministrisë për të bërë prezantimin e nismës, e se çdo tarifë shtesë për naftën do të reflektohet te çmimi që u shitet konsumatorëve.

Mbajtja e rezervës së naftës është një detyrim që rrjedh për Shqipërinë nga direktiva 119 e vitit 2009 e Parlamentit Europian, e cila lidhet me sigurinë kombëtare të një vendi në rast se sasia e naftës duhet në kohë lufte, apo krize prodhimi të saj.

Tv Klan