Ibrahimaj: Korrigjojnë sjelljen, nëse nuk reflektojnë do të ketë ndëshkime

Bizneset që operojnë në sektorin e turizmit duhet të bëjnë kujdes në deklarimin e xhiros reale, numrit të punonjësve dhe pagave të tyre, pasi tatimorët ndodhen në terren për t’i kontrolluar.

Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, thotë në një intervistë për Televizionin Klan se janë evidentuar shkelje të ndryshme të kompanive duke nisur nga të ardhurat që deklarojnë, vlera e shitjeve dhe numri i punonjësve, ndaj u bën thirrje të korrigjohen. Nëse nuk do të ketë rregullim inspektorët do të vendosin penalitete.

“Qëllimi ynë nuk është penalizimi, por këshillimi dhe ndërgjegjësimi. Nëse edhe pas kontakteve që do t’i bëjmë do të kenë të njëjtën sjellje atëherë do të penalizohen. Kemi vënë re një sjellje të disa operatorëve për të ulur numrin e shitjeve apo pagat reale të punëtorëve.”

Bizneset do të kontrollohen nëse janë të regjistruara, lëshojnë faturë me vlerë reale të çmimit, publikojnë listën e çmimeve dhe deklarojnë punonjësit dhe pagën reale të tyre. Tatimet nuk do të ndëshkojnë kompanitë që kanë nisur të përdorin platformën e fiskalizimit në vend të kasës fiskale.

“Nuk do të ketë masa për ato sepse ligji u jep të drejtë ta përdorin fiskalizimin që tani. Çdokush mund të zgjedhë për lëshimin e faturave këtë platformë edhe përpara se ligji të bëhet detyrues.”

Në planin e tatimeve është mbledhja e të ardhurave në të njëjtat nivele me sezonin e vitit 2019, edhe pse mund të ketë një numër më të vogël turistësh.

“Ka patur rritje ekonomike këtë vit dhe kemi arritur planin e të ardhurave, synojmë që sezoni i verës të realizojë tatimet në të njëjtat nivele me vitin 2019.”

Pas sektorit të turizmit në fokus të kontrolleve tatimore do të jetë sektori i hidrokarbureve, më pas bizneset që operojnë në fushën e energjisë ndërsa pjesë e planit operacional të gjithë vitit është monitorimi i deklarimit të nivelit të pagave në të gjithë llojet e ndërmarrjeve.

Tv Klan