Kush ka llogari bankare duhet të plotësojë numrin tatimor

Tatimet do të nisin mbledhjen e informacionit financiar për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe rezidentët që banojnë në vendin tonë, të cilët kanë të hapur një llogari bankare.

Janë bankat e nivelit të dytë, të cilat kanë nisur dërgimin e një formulari për çdo klient të tyre, ku duhet të shënohen të dhënat e vendbanimit dhe numri tatimor i secilit.

Nisma ka si synim verifikimin e pagesës së taksave për të gjithë individët në mënyrë që të raportohen saktë të gjithë të ardhurat që ata marrin duke përfshirë interesat bankare, fitimet nga kompanitë private, fitimet nga qiratë apo shitja e pronave, por dhe krijimi i pasurive jashtë kufijve të territorit të vendit.

Afati për deklarimin e të dhënave në banka është fundit i muajit Korrik, kohë e vendosur në ligjin për shkëmbimin automatik të informacionit.

Zbatimi i këtij ligji ka si synim kontrollin e çdo shtetasi në Shqipëri ose rezident në vendin tonë, nëse nuk ka deklaruar saktë të ardhurat duke shmangur pagesën e tatimit, apo ka dyshime për kryerjen e evazionit fiskal përmes transferimit të fitimit në një shtet tjetër.

Njëkohësisht me këtë nismë qeveria do të miratojë edhe një ligj për regjistrin e pronarëve përfitues, ku çdo kompani që operon në Shqipëri duhet të regjistrojë emrin e pronarit përfitues, edhe në rastin kur firma rezulton e regjistruar në shtete që operojnë si offshore, të njohura ndryshe si parajsa fiskale.

Tv Klan