Buxhuku: Problem, transporti dhe marrja e autorizimeve

Shumë biznese janë duke hasur probleme në marrjen e pagesës për punonjësit për shkak se tatimet u kanë thënë se janë në listën e aktiviteteve të lejuara.

Ky është një rast i një ndërmarrjeje me xhiro nën 14 milion lekë që ushtron aktivitet në Tiranë, e cila ka aplikuar për të marrë autorizim për të lejuar punëtorët që të punojnë brenda orarit të ri në polici. Por policia ia ka refuzuar lejen.

Disa ditë më vonë e njëjta ndërmarrje bën aplikimin për të marrë një pjesë të pagës për punonjësit e saj të cilët nuk janë lejuar të dalin në punë, por tatimet ia kanë refuzuar pasi është në listën e aktiviteteve të lejuara.

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria-s, thotë se raste të refuzimit të autorizimeve janë të shumta edhe te bizneset e mëdha që u lejohet aktiviteti.

Ai shprehet se masat shtrënguese janë duke prodhuar në disa raste situata absurde, ku furnitori lejohet si aktivitet, por nuk ka ku të çojë mallin sepse tregtari i pakicës nuk lejohet. Buxhuku sugjeron që qeveria të nisë liberalizimin e punës nën masa të forta sigurie higjenike, pasi kriza tashmë po kap edhe bizneset e mëdha me qindra punonjës.

Bizneset kërkojnë edhe rishikimin e rregullave të garancisë sovrane që do të përdoret për marrjen e kredive të buta për pagat, pasi për ta ky fond nuk gjen aplikim për të gjithë ndërmarrjet.

Tv Klan