Nëse në aksionet e ushtruara vite më parë nga administrata tatimore u bë e famshme thënia “shkopi dhe karota”, tani mund të thuhet se Tatimet kanë mbyllur në sirtar shkopin dhe po përdorin karotën.

Plani sektorial me fokus baret dhe restorantet këtë herë do të zbatohet jo i kufizuar në kohë dhe pa pasur qëllim ndëshkimin e bizneseve.

Janë 12 mijë biznese që kanë aktivitet në këtë fushë dhe lidhen ngushtë me sektorë të tjerë në industrinë e turizmit, si hoteleria dhe tregtia me pakicë.

Administrata tatimore do t’i kontaktojë personalisht të gjithë sipërmarrësit dhe do t’i verë në dijeni për shkeljet që ata dyshohet se po bëjnë, në momentin që ata nuk do ta korrigjojnë mënyrën se si deklarojnë të ardhurat e tyre, apo numrin e punonjësve, do të penalizohen.

Kontrolli do të bëhet nga kompjuteri, në bazë të riskut që gjeneron sistemi dhe do të vëzhgohet nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Shumica e shkeljeve që bëhen nga bar restorantet, të cilat kanë dalë me risk të lartë, janë raportimi i xhiros, numrit të punonjësve dhe pagave, si dhe lëshimi i kuponit tatimor.

Tv Klan