Kërkuesit në Korenë e Jugut po ndërtojnë një pajisje të re për monitorimin e shëndetit në formën e një tatuazhi elektronik që mund të lajmërojë menjëherë mbajtësit e tij.

Boja e tatuazhit është e përbërë nga metal i lëngshëm dhe nanotuba karboni që funksionojnë si elektroda. Pajisja mund të dërgojë një përmbledhje të shenjave jetike të mbajtësit nëse lidhet me biosensorë, përfshirë edhe një elektrokardiogramë.

Veç rrahjeve të zemrës, mund të lexojë nivelin e glukozës ose laktatit për ata që vuajnë nga diabeti ose sepsisi.

“Në të ardhmen, shpresojmë të lidhim një çip të integruar në këtë bojë këshut që mund të komunikojmë, të dërgojmë e marrim sinjale nga trupi drejt një pajisjeje të jashtme”, tregon ekipi korean për planin ambicioz.

Boja e tatuazhit nuk ka nevojë për t’u injektuar me gjilpërë, siç ndodh zakonisht. Ajo është e përbërë nga galiumi, një metal i butë metalik që zakonisht përdoret në termometra, ndërsa nanotubat e karbonit përmbajnë edhe platin, i cili përçon elektricitetin dhe rrit jetëgjatësinë e tatuazhit./tvklan.al