Sali Berisha: Nuk mund të harxhoj kohë më shumë me dokrrat

Çështja e financimeve ruse të partive politike ka rikthyer debatet në Parlament gjatë seancës plenare.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha si person që është i përfshirë në listën e pagesave nga Rusia.

Për të mbështetur pretendimet e tij, Balla deklaroi se ditët në vijim do të publikohen prova për këtë çështje.

“Në ditët në vijim do bëhen publike fakte se si lidhesh ti personalisht. Nuk është e rastësisht që vota jote në vitin 2011, në 25 Janar 2011, është dhënë pro një rezolute të sponsorizuar nga Vladimir Putini. Ti je informuar me kohë për atë rezolutë dhe të është tërhequr vëmendje nga aleatët më të rëndësishëm të Shqipërisë që po planifikohet një baltë e madhe kundër Shqipërisë dhe kundër UÇK. Dhe ti nuk ke reaguar asgjë. Asnjë veprim. Me porosinë tënde, kryetari i delegacionit të Shqipërisë ka votuar pro një rezolute që i ka bërë dëmin më të madh Shqipërisë në 30 vitet e fundit, i ka bërë shqiptarët në sytë e europianëve vrasës dhe trafikantë organesh njerëzore. Ti ke hyrë në llogaritë e Kremlinit, ti ke hyrë në listat e Kremlinit. Ditët në vijim do të dalin faktet e kësaj listëpagese që kulmoi me përdorimin e firmës së Lulit por me porosinë e Saliut në 2017 për 600 mijë Dollarë. Ajo që unë flas këtu është mbi bazë e disa dokumenteve të cilat Saliu i di shumë mirë dhe Edi që i kemi ne. Është njoftuar para Prillit të 2008, më 15 Mars ndodhte tragjedia e Gërdecit dhe 30 ditë më pas depozitoi në Asamblenë e KiE një rezolutë e cila është zanafilla e rezolutës së Dick Marty”, u shpreh Balla.

Në replikën e tij, Berisha i konsideroi dokrra akuzat e Ballës.

Në doktrinë, diktaturat janë teologjike, e tillë është diktatura iraniane. Dhe kam dënuar me forcën më të madhe agresionin e saj ndaj Shqipërisë. Por diktaturat janë dhe ato narkotike, dhe unë kam dënuar ndërhyrjen e saj në sistemet dixhitale të Shqipërisë.

Në doktrinë, regjimet njëpartiake janë diktatura dhe unë kam dënuar me forcën më të madhe vendosjen e regjimit të partisë-shtet, parti e cila është e zjerë në drogë dhe krim.

Nuk mund të harxhoj kohë më shumë me dokrrat që shtrove këtu, por unë dua të them dy gjëra.

Nuk janë vetëm Universitetet ato që po përjetojnë agoni. Biznesi i vogël është në agoni të vërtetë. Biznesi i mesëm është në arrati. Taksa që ju keni vendosur, 4-fishim i çmimit të energjisë, taksa e re që keni parashikuar për 1 Janar 23%, përbëjnë faktor shkatërrimtar për këtë biznes. Ndaj dhe e ftoj këtë biznes në një lëvizje të fuqishme kundër këtij regjimi dhe për përmbysjen e tij, ftoj të gjitha profesionet e lira që njeriu i cili firmos, mbush baulet me Euro, kërkon t’i largojë, të bashkohemi në protestë të fuqishme e cila do ta bëjë të harrojë ato që ka thënë. E përmendi dje vettingun, sot u betua që s’e ka thënë kurrë. Provoje po deshe vettingun. Të sfidojnë ata, të sfidojmë dhe ne”, u shpreh Sali Berisha. /tvklan.al