Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se shumë shpejt do të shpallin 61 kandidatët socialistë për zgjedhjet bashkiake të vendit.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë së PS, Balla u shpreh se forca politike që ai përfaqëson ka vijuar prej disa muajsh një proces konsultimi në publik.

“Partia Socialiste ka filluar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve përmes konsultimeve publike. Ne jemi në një aleancë në bashkëqeverisje me njerëzit dhe përgjatë gjysmës së dytë të viti 2018 kemi zhvilluar proces konsultimi. Në një pjesë të madhe të territorit, procesi është i përfunduar dhe shumë shpejt do të kemi gati 61 kandidatët tanë”

, tha Balla.

Sa i përket bojkotit të Partisë Demokratike, Taulant Balla u shpreh se nuk beson që opozita të bojkotojë zgjedhje vendore të 30 Qershorit.

“Unë nuk e besoj kurrë që Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Besoj që PD do t’i bindet votuesve të vetë për të marrë pjesë në garë

“, deklaroi kreu i grupit të PS Taulant Balla. 

/tvklan.al